Homecoming i Nesim Maxhunit | Promovim Albumi

Nesim Maxhuni  asht pioner i stileve muzikore modenre në skenën mbarë shqiptare. Jazz, neo soul, gospel, hip hop janë vetëm disa prej zhanreve ku ai me komoditet noton. Asht baterist i rangut botënor dhe bashkëpunëtor në shumë albume prestigjoze vendore, kështu duke reprezentu nji prej influencave kryesore të muzikës së re shqip sot. Maxhuni ka botue dy albume në pesë vjetët e fundit, Homecoming asht albumi i tij i tretë me materiale origjinale i cili përbahet prej nji ekipe ndërkombëtare dhe shënon nji bashkëpunim unik në mes të Prishtinës dhe New York’ut. Homecoming do të promovohet me 18 shkurt 2017 në ora 20.00 në ASK (Shkolla Amerikane e Kosovës) – hajdeni ta ndëgjojmë këtë konstalacion të gjenive!

Jure Pukl – saksafon | Marko Crncec – piano | Armend Xhaferi – gitare | Kiril Tufekcievski – bas | Nesim Maxhuni – bateri

Lamtumirë 2016 – ishe vit i çuditshëm!

Ishte viti 2009 kur dit’ e nat’ e filloi traditën e tranisë n’masditën e ditës së fundit të vitit. E shohim këte si mundësi të mirë me i lanë të vjetrat mbrapa e me u shpërla për vitin që po vjen.

Për sa mbajmë mend ne, vit ma të çuditshëm se 2016 nuk ka pasë. Hajde t’a shpërlajmë bashkë, tue i përcjellë me kangë të gëzueshme rrezet e fundit të këtij dielli me dhambë që ka ndriçu sivjet.
Gipsy Groove kanë me luejtë nji set akustik mbas të cilit bashkangjitet Genc Salihu me miq tjerë për me vazhdu festën e zakonshme të fundvitit.

Shihemi me 31 n’mesditë!

Publikohet Kosoveira | Album & film

Ishte vjeti 2015 kur për herë të parë e takuem Luis Panichellin, nji performer të Capoeira’s, i cili në atë kohë bante jetë dhe punë në Prishtinë. Nuk shkoi shumë dhe artistë prej skenave e udhëve t’ndryshme t’jetës iu bashkangjitën atij në nji shtegtim ku muzika tradicionale e vendit takoi Capoeira’n dhe në flirtim e sipër sollën në jetë nji album briliant – KOSOVEIRA.

L’shoja nji sy këtij dokumentari të shkurtë dhe shijo procesin e gatimit të albumit Kosoveira!

D4D rifillon me sallonet e së martës | Debat

Prej fundit të shtatorit 2016 D4D ka rifillu me serinë e re të salloneve të së martes ku grupe të ndryshme të interesit diskutojnë zhvillimet aktuale socio-politike dhe ekonomike në rrafsh lokal dhe ndërkombëtar.
Nesër me 11 tetor prej orës 16.45 mbahet debati i radhës me temë Energjia apo Bujqësia?

Këto takime do të mbahen çdo të marte prej orës 16.45-19.00 në dit’ e nat’. Për ma shumë detaje mbi sallonin e së martës përcijellni aktivitetin e Facebook faqes së D4D. Nëse keni interesim të merrni pjesë, kontaktoni organizatorët.

14519867_1160409570718460_7065297273236210762_n

Visar Kasa | Koncert

Të ejtën në mramje, rikthehet në Dit’ e Nat’ një prej kantautorëve ma të dashtun këndej pari: Visar Kasa.
Kësaj here Visari po e sjellë me veti eksperiencën që e ka akumulu si student në Konservatoriumin e Vienës si kantautor dhe kompozitor i pop-muzikës.
Ai ka me e këndu setin “Shadows”, të cilin e ka zhvillu gjatë qëndrimit të tij në Vienë, e i cili përbahet prej kangëve të reja e të padëgjume ma herët në Kosovë. Për me i pasunu tingujt e kangëve të tij, Visari e ka ftu Granit Paçaradën në tupana.
Natën ka me e hapë kantautorja e re e me plot talent Elena Kabashi e cila ka me e performu nji set të shkurtër akustik.

Koncerti mbahet me 4 gusht n’orën 8.30, shihemi. 

visar kasa

The Tape | Koncert

Të shtunën me 9 korrik në ora 21.00 në oborrin e Dit’ e Nat’ vijnë The Tape, nji indie rock trio nga Gothenburgu i Suedisë. Me nji kombinim të thjeshtë instrumentesh, muzika e The Tape mundet me u përshkru si “tinguj andrrash” me përsëritje hipnotike të temave të gitarës që lahen në reverb intenziv. Bendi asht aktiv në skenën e Gothenburgut e ka lujtë në festivale të shumta në Suedi e Evropë, tuj e fitu nji reputacion për performancat e tyne magjepsëse.

the tape

Hugh Trimble | Koncert

Të enjtën mrama (23 qershor) prej orës 21.00, për herë të parë në Prishtinë, na bashkangjitet Hugh Trimble – nji kant-autor i bazuem në Chicago. Si udhërrefyes i Folk-ut Amerikan, Hugh mezi po pret me i nda tregimet e tij tuj shetitë nëpër zhanret Americana, Celtic, Indie-rock e Blues.
Shihemi t’enjtën!

hugh trimble

#IntelektualiiDështuem | Eric Jarosinski

Ejani në bisedën me Eric Jarosinski, nji ish-profesor i cili i ndërroi kahje karrierës duke vazhdu nji jetë të #IntelektualitTëDështuem në media sociale.
Duke eksploru potencialin komik të gjuhës gjermane, literaturës dhe filozofisë në Twitter, llogaria e tij në NeinQuarterly ka tërheqë nji audiencë shumë diverze globale.
Në diskutimin e tij i cili do të moderohet prej Agon Maliqit, Eric do të adresojë potencialin (dhe limitet) e të adaptuemit të trajtave të ndryshme të mendimit filozofik -gjuha e saj komplekse, kodet dhe konvencionet- në teknologjitë e reja.
Ai do të shpalosë strategjitë jo për thjeshtësimin apo popullarizimin e filozofisë, por për demistifikimin e terminologjisë së saj, rrënimin e butë të idolëve dhe vënjen në pyetje të autoritetit të saj në mënyrë lozonjare.

Biseda mbahet të ejten (2 qershor 2016) në ora 19.00 në dit’ e nat’.

jarosinski 2

Elizabeth Acevedo performon SLAM sonte!

ELIZABETH ACEVEDO asht poete prej New York’ut puna e së cilës asht ushqye me boleron e prindve të saj me origjinë nga shteti Domenikan dhe mprehtësinë e ashpër të qytetit që e ka rritë.
Me nji eksperiencë performimi dymbëdhjetë vjeçare ajo i ka dhanë shije skenave të ndryshme në vend dhe ndërkombëtarisht përfshi këtu edhe Lincoln Center, Madison Square Garden, Kennedy Center of the Performing Arts dhe South Africa’s State Theatre. Acevedo asht gjithashtu e njoftun për video poezi të cilat patën nji shpërndarje masive virale dhe kështu ranë nën radarinPBS, Latina Magazine, Cosmopolitan dhe Upworthy.
Acevedo  asht kampione nacionale në Slam poezi, gjithashtu kampinone e Beltway Grand Slam dhe 2016Women of the World Poetry Slam si reprezentuese e Washington, D.C, ku për momentin jeton dhe punon.
Poezitë e saj u publikuen në Puerto Del Sol, Callaloo, Poet Lore, The Notre Dame Review dhe të tjera

Sonte ajo performon në librarinë tonë në ora 18.00. Shihemi!

Elizabeth-Acevedo-3

ERDHLEZETI! Festival 2016

*PROGRAMI I PLOTË

Edicioni i dytë i ERDHLEZETI! Festival mbahet të dielën me 22 Maj në rrugë para Dit’ e Nat’, në parkingun përballë. Kjo asht nji festë që i dedikohet muzikës, ndrrimit të stinëve dhe sidomos ardhjes së verës; birra, skara dhe dashnija janë ingredientet tjera përbamëse.

Festa fillon në orën 14.00 dhe zgjatë deri në mesnatë. Këtë herë do të performojnë:

14:00 – 16:00 – Roots Raid (Tirana, AL)
16:00 – 18:00 – Nezafete Shala & Grupi Melodia e Vjetër (Gjakova, RKS)
18:00 – 19:00 – Oborri (Prishtina, RKS)
19:00 – 20:30 – Toni Kitanovski & Cherkezi Orchestra (Skopje, MK)
20:30 – 22:00 – Gipsy Groove (Prishtina, RKS)

Biletat janë në shitje (3€ në Dit’ e Nat’ ose 5€ te hyrja në ditën e festivalit).

erdhlezeti