Ribotohet Gjurmët LP

Gjurmët LP, për ata që nuk kanë pasë rast ta lexojnë më herët,  asht memoar i Migjen Kelmendit mbi bendin Gjurmët dhe vietet ’80 n’Kosovë. Ky libër i vogël asht dëshmi në vetë të parë që në mënyrë elegante shpalosë jo vetëm veprimtarinë e bendit por t’gjithë kontekstin socio-politik të kohës duke ofru nji perspektivë shumë shtresore mbi atë se çka ishte të qenit i ri dhe shqiptar në Jugosllavi.  Edicioni i dytë vjen me dizajn të ri përfshi këtu edhe fotografi shtesë dhe kopertinë të fortë. Prej tash e tutje libri gjendet në raftet tona dhe kushton 15 euro.

Foto: Jetmir Idrizi

Erdhlezeti feston verën!

Nëse nuk i ke planifikuar pushimet, mos u ngut… shënoje këtë datë në kalendar: 2 Korrik 2017!

ERDHLEZETI është festival tashmë tradicional Kosovar i cili mbledhë qindra njerëz në kryeqytet gjatë ditës për të festuar ardhjën e verës e ikjën e dimrit. Tash e tri vjet festivali ofron performanca të veçanta në qendër të Prishtinës në hapësirën përballë kafe-librarisë Dit’ e Nat’.
Përveç muzikës, festivali njihet për atmosferën festive në formë të “block-party” (festë e lagjës), ku performancat e zgjedhura me kujdes në kombinim me energjinë e publikut krijojnë një ndër përvojat më magjike të vitit në Prishtinë – bëhu pjesë edhe ti me 2 Korrik prej orës 2 pasdite!
Perderisa outdoor festivalet muzikore më të suksesshme në Kosovë mbahen jashtë kryeqytetit, me Erdhlezetin ke rast ta eksplorosh diverzitetin që vjen përmes muzikës e ta shuash etjën kulturore midis Prishtinës në pikë të verës.
Festivali, me shumë krenari, çdo vit e fton të paktën një bend Kosovar për të përfaqësuar më të mirën e skenës lokale të muzikës. Sivjet këtë rol e luan Shpat Deda, i cili në bend ka rekrutuar disa nga muzikantët më të mirë në këtë anë të Kalimashit për të formuar çka mund të njihet vetëm si një superbend.
Erdhlezeti ka filluar si festë e diverzitetit kulturor, duke i dhënë posaçërisht hapësirë performuesve të influencuar nga muzika e rajonit. Sivjet kjo hapësirë pjesërisht i përket Demir Kanturovski & Uska Kan Orkestra – brass band 9-pjesësh që luan këngë të njohura nga folklori rom me aranzhmane të inspiruara nga muzika jazz e pop.
Ndër performancat tjera për të mos u humbur është edhe Sazet e Përmetit, një prej grupeve të vetme shqiptare që vazhdojnë të luajnë Kabanë e vjetër përmetare të shkollës së Laver Bariut.
Për fund, publiku do të udhëtojë pak më larg, nën tingujt e ëmbël të Senegalit. Kaira Kela nga Zagrebi sjellin show-in e tyre Afrobeat të mbushur me diell e ritme afrikane, e garantuar të bëjë gjithkë të vallëzojë pa marrë parasysh shijet muzikore.
Biletat, të cilat do të kushtojnë €3, do dalin në shitje në Dit’ e Nat’ dhe lokacione tjera së shpejti. Për të ndejtë në kontakt me festivalin, mund të përcjellni faqen Erdhlezeti Festival në Facebook. It’s a Block Party!
Në një ambient ku çdo herë është më vështirë të organizohet një festival, Erdhlezeti do të ishte i pamundur pa përkrahjen e donatorëve e sponzorëve tanë. OJQ GAIA në bashkëpunim me Dit’ e Nat’ shprehin një falenderim të veçantë për Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prishtinës, si dhe kompanitë që çdo vit po shprehen të gatshme te ndihmojnë në zhvillimin e skenës kulturore në Prishtinë – Win Music Freedom, Birra Prishtina, Ciroc, Miqt Music, Traveks, Uje Rugove, Semitronix Hotel, e KTV.

Homecoming i Nesim Maxhunit | Promovim Albumi

Nesim Maxhuni  asht pioner i stileve muzikore modenre në skenën mbarë shqiptare. Jazz, neo soul, gospel, hip hop janë vetëm disa prej zhanreve ku ai me komoditet noton. Asht baterist i rangut botënor dhe bashkëpunëtor në shumë albume prestigjoze vendore, kështu duke reprezentu nji prej influencave kryesore të muzikës së re shqip sot. Maxhuni ka botue dy albume në pesë vjetët e fundit, Homecoming asht albumi i tij i tretë me materiale origjinale i cili përbahet prej nji ekipe ndërkombëtare dhe shënon nji bashkëpunim unik në mes të Prishtinës dhe New York’ut. Homecoming do të promovohet me 18 shkurt 2017 në ora 20.00 në ASK (Shkolla Amerikane e Kosovës) – hajdeni ta ndëgjojmë këtë konstalacion të gjenive!

Jure Pukl – saksafon | Marko Crncec – piano | Armend Xhaferi – gitare | Kiril Tufekcievski – bas | Nesim Maxhuni – bateri

Lamtumirë 2016 – ishe vit i çuditshëm!

Ishte viti 2009 kur dit’ e nat’ e filloi traditën e tranisë n’masditën e ditës së fundit të vitit. E shohim këte si mundësi të mirë me i lanë të vjetrat mbrapa e me u shpërla për vitin që po vjen.

Për sa mbajmë mend ne, vit ma të çuditshëm se 2016 nuk ka pasë. Hajde t’a shpërlajmë bashkë, tue i përcjellë me kangë të gëzueshme rrezet e fundit të këtij dielli me dhambë që ka ndriçu sivjet.
Gipsy Groove kanë me luejtë nji set akustik mbas të cilit bashkangjitet Genc Salihu me miq tjerë për me vazhdu festën e zakonshme të fundvitit.

Shihemi me 31 n’mesditë!

Visar Kasa | Koncert

Të ejtën në mramje, rikthehet në Dit’ e Nat’ një prej kantautorëve ma të dashtun këndej pari: Visar Kasa.
Kësaj here Visari po e sjellë me veti eksperiencën që e ka akumulu si student në Konservatoriumin e Vienës si kantautor dhe kompozitor i pop-muzikës.
Ai ka me e këndu setin “Shadows”, të cilin e ka zhvillu gjatë qëndrimit të tij në Vienë, e i cili përbahet prej kangëve të reja e të padëgjume ma herët në Kosovë. Për me i pasunu tingujt e kangëve të tij, Visari e ka ftu Granit Paçaradën në tupana.
Natën ka me e hapë kantautorja e re e me plot talent Elena Kabashi e cila ka me e performu nji set të shkurtër akustik.

Koncerti mbahet me 4 gusht n’orën 8.30, shihemi. 

visar kasa

Hugh Trimble | Koncert

Të enjtën mrama (23 qershor) prej orës 21.00, për herë të parë në Prishtinë, na bashkangjitet Hugh Trimble – nji kant-autor i bazuem në Chicago. Si udhërrefyes i Folk-ut Amerikan, Hugh mezi po pret me i nda tregimet e tij tuj shetitë nëpër zhanret Americana, Celtic, Indie-rock e Blues.
Shihemi t’enjtën!

hugh trimble

ERDHLEZETI! Festival 2016

*PROGRAMI I PLOTË

Edicioni i dytë i ERDHLEZETI! Festival mbahet të dielën me 22 Maj në rrugë para Dit’ e Nat’, në parkingun përballë. Kjo asht nji festë që i dedikohet muzikës, ndrrimit të stinëve dhe sidomos ardhjes së verës; birra, skara dhe dashnija janë ingredientet tjera përbamëse.

Festa fillon në orën 14.00 dhe zgjatë deri në mesnatë. Këtë herë do të performojnë:

14:00 – 16:00 – Roots Raid (Tirana, AL)
16:00 – 18:00 – Nezafete Shala & Grupi Melodia e Vjetër (Gjakova, RKS)
18:00 – 19:00 – Oborri (Prishtina, RKS)
19:00 – 20:30 – Toni Kitanovski & Cherkezi Orchestra (Skopje, MK)
20:30 – 22:00 – Gipsy Groove (Prishtina, RKS)

Biletat janë në shitje (3€ në Dit’ e Nat’ ose 5€ te hyrja në ditën e festivalit).

erdhlezeti

Karrigat riaranzhohet nga Oborri & Taste 2

“Karrigat” asht kangë që u shkru në fillim të viteve ’80 nga bendi legjendar i Prishtinës – Gjurmët. Redaktorët (cenzorët) televiziv të kohës ndaluan incizimin e kësaj kange me arsyen se ishte politikisht e motivueme. Gati tridhjetë e pesë vjet ma vonë Oborri & Taste 2 ia dhanë kësaj kange nji shansë të re tue e riaranzhu dhe shkru tekst të ri.

Ne si dit’ e nat’ mburremi që mbëshetetëm këtë projekt. Shpresojmë të kënaqeni me videon!

Gent Rushi Trio kët’ t’premte

Gent Rushi asht nji prej pionierëve të jazz-it në Shqipni. Së fundmi me shokët e tij krijoi big bendin e parë të pamvarun shqiptar -JAlbaniaZZ Society.
Të premten vjen me të pandashmin & të shkëlqyeshmin Ermal Rodi në Dit’ e Nat’, ku i pret Enes Beu – nji prej të vetmëve që asht në gjendje m’e i dalë në krye kësaj detyre.
Ky koncert intim asht shumë i veçantë edhe për nji arsye – ditëlindja e shtatë e kafe-librarisë tonë!

Shihemi t’premten, kemi sebepe t’bukura për me u mbledhë!

gent-rushi

KOSOVEIRA – Koncerti i fundit

Koncerti i fundit Capoeira për sivjet mbahet të mërkurën – rasti i fundit me dëgju Luisin live e me u ba pjesë e projektit KOSOVEIRA! Koncerti fillon me nji solo performansë frymëzuse në oud prej mysafirit tonë special – Astrit Stafai. Përveç kangëve që tash p’i dijmë e dojmë (NINO NINO NINO NOOOO!), kanë me u përformu disa kangë të reja prej albumit në pritje – KOSOVEIRA.

KOSOVEIRA asht nji projekt që përzinë muzikën Capoeira me elemente të muzikës Kosovare. Në krye me Luis Panichellin, në album marrin pjesë Arbër Salihu, Astrit Stafai, Kafu Kinolli, Ilir Bajri, Shaqir Hoti, Tefik Manaj e Visar Kuçi. Nëse ju pëlqen projekti e keni qejf me kontribu, mundëni me ba donacion gjatë koncertit ose online në Indie Gogo. Mysafirë tjerë: Bardh Salihu, Blerta Kosova, Drin e Lum Tashi, Julian Kuçi.

Për ma shumë info mbi projektin:
https://www.indiegogo.com/projects/kosoveira-music-capoeira-meets-kosovo/

KOSOVEIRA