Erdhlezeti feston verën!

Posted on Posted in Muzikë, Ngjarje, Ushqim, Vegjetarian

Nëse nuk i ke planifikuar pushimet, mos u ngut… shënoje këtë datë në kalendar: 2 Korrik 2017!

ERDHLEZETI është festival tashmë tradicional Kosovar i cili mbledhë qindra njerëz në kryeqytet gjatë ditës për të festuar ardhjën e verës e ikjën e dimrit. Tash e tri vjet festivali ofron performanca të veçanta në qendër të Prishtinës në hapësirën përballë kafe-librarisë Dit’ e Nat’.
Përveç muzikës, festivali njihet për atmosferën festive në formë të “block-party” (festë e lagjës), ku performancat e zgjedhura me kujdes në kombinim me energjinë e publikut krijojnë një ndër përvojat më magjike të vitit në Prishtinë – bëhu pjesë edhe ti me 2 Korrik prej orës 2 pasdite!
Perderisa outdoor festivalet muzikore më të suksesshme në Kosovë mbahen jashtë kryeqytetit, me Erdhlezetin ke rast ta eksplorosh diverzitetin që vjen përmes muzikës e ta shuash etjën kulturore midis Prishtinës në pikë të verës.
Festivali, me shumë krenari, çdo vit e fton të paktën një bend Kosovar për të përfaqësuar më të mirën e skenës lokale të muzikës. Sivjet këtë rol e luan Shpat Deda, i cili në bend ka rekrutuar disa nga muzikantët më të mirë në këtë anë të Kalimashit për të formuar çka mund të njihet vetëm si një superbend.
Erdhlezeti ka filluar si festë e diverzitetit kulturor, duke i dhënë posaçërisht hapësirë performuesve të influencuar nga muzika e rajonit. Sivjet kjo hapësirë pjesërisht i përket Demir Kanturovski & Uska Kan Orkestra – brass band 9-pjesësh që luan këngë të njohura nga folklori rom me aranzhmane të inspiruara nga muzika jazz e pop.
Ndër performancat tjera për të mos u humbur është edhe Sazet e Përmetit, një prej grupeve të vetme shqiptare që vazhdojnë të luajnë Kabanë e vjetër përmetare të shkollës së Laver Bariut.
Për fund, publiku do të udhëtojë pak më larg, nën tingujt e ëmbël të Senegalit. Kaira Kela nga Zagrebi sjellin show-in e tyre Afrobeat të mbushur me diell e ritme afrikane, e garantuar të bëjë gjithkë të vallëzojë pa marrë parasysh shijet muzikore.
Biletat, të cilat do të kushtojnë €3, do dalin në shitje në Dit’ e Nat’ dhe lokacione tjera së shpejti. Për të ndejtë në kontakt me festivalin, mund të përcjellni faqen Erdhlezeti Festival në Facebook. It’s a Block Party!
Në një ambient ku çdo herë është më vështirë të organizohet një festival, Erdhlezeti do të ishte i pamundur pa përkrahjen e donatorëve e sponzorëve tanë. OJQ GAIA në bashkëpunim me Dit’ e Nat’ shprehin një falenderim të veçantë për Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prishtinës, si dhe kompanitë që çdo vit po shprehen të gatshme te ndihmojnë në zhvillimin e skenës kulturore në Prishtinë – Win Music Freedom, Birra Prishtina, Ciroc, Miqt Music, Traveks, Uje Rugove, Semitronix Hotel, e KTV.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.